Lajme

Kusari-Lila: Pati ngecje në dialog për shkak të Serbisë, ngjarjet në veri janë të provokuara

Mimoza Kusari

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka folur lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Përmes një konference për media, ku po shpaloseshin të arriturat e Qeverisë së Kosovës për vitin 2022, Kusari-Lila tha se në procesin e dialogut ka pasur ngecje për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e Serbisë.

“Kemi qenë të vetëdijshëm dhe dëshmitar se gjatë këtij procesi ka pasur ngecje për shkak të mungesës së vullnetit të Serbisë për të shkuar deri në fund me marrëveshjen e normalizimit apo marrëveshjen finale në mes dy shteteve. Të gjitha ngjarjet e tjera e që lidhen me vendosjen e barrikadave, synim kanë ndalimin e arritjes se kësaj marrëveshje. Në momentin që tregon se dialogu është kthyer në binarë të diskutimit mbi parimet dhe mbi procesin i cili ka në qendër njohjen e ndërsjellët, ka filluar rezistenca dhe bojkoti i dukshëm për të gjithë nga ana e Serbisë”, tha Kusari-Lila.

Shefja e LVV-së, tha se ngjarjet në veri të Kosovës janë të provokuara drejtpërdrejtë nga Serbia.

“Kjo është një ngjarje në vazhdim dhe janë organet kompetente të cilat merren me të, prej ekzekutivit, organeve të sigurisë, EULEX-it, KFOR-it që janë duke bashkërenduar aktivitetin. Duhet një kujdes i shtuar dhe i veçantë për faktin se ngjarjet të cilat po ndodhin në katër komunat në veri të Kosovës janë ato të cilat po provokohen drejtpërdrejtë nga Serbia për një destabilitet e për të humbur fokusin nga ajo përgjegjësi e cila është e Aleksandër Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë”.

Kusari-Lila tha se në seancat e mbajtura janë mirtuar 102 projektligje për derisa 49 janë në procedurë.

Pëmendet edhe buxheti i vitit 2023 si më i madhi i miratuar ndonjëherë në vlerë të 3.2 miliardë euro.

Sipas Vetëvendosjes, Kuvendi ka ratifikuar 27 marrëveshje ndërkombëtare si dhe nisma të tjera ligjore e administrative.

Duke u kthyer tek situat anë veri, kujtojmë se krahas barrikadës e cila është vendosur në Lagjen e Boshnjakëve afër Shkollës Teknike në Mitrovicë, është vendosur edhe një barrikadë tjetër në vendin e quajtur Kërshi i  Dudes.

Një kamion është i vendosur në urë duke bllokuar kështu hyrjen në Mitrovicën e Veriut.

Dy barrikada vetëm në Komunën e Mitrovicës veriore – SHQIP.com

Tanimë në Mitrovicën e Veriut është e mundësuar lëvizja vetëm nga vendbanimi Suvi Do.

Këto dy barrikada janë të parat në Komunën e Mitrovicës veriore.

Sot është dita e 18 që nga vendosja e barrikadave të para në Rudar. Kjo gjendje erdhi si shkas i arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.

Pantiq është i dyshuari kryesor lidhur me sulmin që iu bë zyrave të KKZ-së, në veri.

Barrikada në Lagjen e Bosnjakve, afër Shkollës Teknike

Sipas serbëve dhe udhëheqësve të tyre, kjo gjendje do të vazhdojë deri në lirimin e serbëve të arrestuar nga institucionet e Kosovës si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Gjatë këtij muaji, në veri të Kosovës pati sulme ndaj Policisë së Kosovës, patrullës së EULEX-it dhe KFOR-it dhe gazetarëve që raportonin nga atje, gjë e cila u quajt e papranueshme nga sfera politike ndërkombëtare.

Lidhur me situatën që është krijuar, Serbia është në pritje të përgjigjes së KFOR-it ndaj kërkesës së tyre për të sjellë një pjesë të ushtrisë së saj në Kosovë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se KFOR-i ka kërkuar pak kohë nga Qeveria e Kosovës për heqjen e barrikadave.

Në mesin e barrikaduesëve është raportuar se ka njerëz të armatosur por edhe njerëz të cilët janë të afërt me Rusinë dhe konkretisht me grupin e mercenarëve rus “Ëanger”.

Po të njëjtit persona udhëhoqën edhe protestën e serbëve në pikën kufitare të Jarinjes të cilët po tentonin që të futeshin në Kosovë, por nuk u lejuan nga Policia e Serbisë.

/Shqip.com