Lajme

Dy barrikada vetëm në Komunën e Mitrovicës veriore

Krahas barrikadës e cila është vendosur në Lagjen e Boshnjakëve afër Shkollës Teknike në Mitrovicë, është vendosur edhe një barrikadë tjetër në vendin e quajtur Kërshi i  Dudës.

Një kamion është i vendosur në urë duke bllokuar kështu hyrjen në Mitrovicën e Veriut.

Tanimë në Mitrovicën e Veriut është e mundësuar lëvizja vetëm nga vendbanimi Suvi Do.

Këto dy barrikada janë të parat në Komunën e Mitrovicës veriore, raporton Kosovoonline.

Sot është dita e 18 që nga vendosja e barrikadave të para në Rudar. Kjo gjendje erdhi si shkas i arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.

Pantiq është i dyshuari kryesor lidhur me sulmin që iu bë zyrave të KKZ-së, në veri.

Barrikada në Lagjen e Bosnjakve, afër Shkollës Teknike

Sipas serbëve dhe udhëheqësve të tyre, kjo gjendje do të vazhdojë deri në lirimin e serbëve të arrestuar nga institucionet e Kosovës si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Gjatë këtij muaji, në veri të Kosovës pati sulme ndaj Policisë së Kosovës, patrullës së EULEX-it dhe KFOR-it dhe gazetarëve që raportonin nga atje, gjë e cila u quajt e papranueshme nga sfera politike ndërkombëtare.

Lidhur me situatën që është krijuar, Serbia është në pritje të përgjigjes së KFOR-it ndaj kërkesës së tyre për të sjellë një pjesë të ushtrisë së saj në Kosovë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se KFOR-i ka kërkuar pak kohë nga Qeveria e Kosovës për heqjen e barrikadave.

Në mesin e barrikaduesëve është raportuar se ka njerëz të armatosur por edhe njerëz të cilët janë të afërt me Rusinë dhe konkretisht me grupin e mercenarëve rus “Ëanger”.

Po të njëjtit persona udhëhoqën edhe protestën e serbëve në pikën kufitare të Jarinjes të cilët po tentonin që të futeshin në Kosovë, por nuk u lejuan nga Policia e Serbisë.

/Shqip.com