Lajme

Kurti: Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme

Albin Kurti - Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, të enjten.

Ata kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti i ka thënë se situata këto ditë është përgjithësisht e qetë “sepse nuk ka sulme të urdhëruara dhe të orkestruara nga Beogradi ndaj forcave të rendit dhe sigurisë”.

“Për sa i takon rrugës përpara drejt deeskalimit të plotë ai tha se sundimi i ligjit duhet të jetë hapi dhe parimi bazë. Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira e demokratike, dhe një fushate parazgjedhore të hapur dhe fer”, ka thënë Kurti.

Ata gjithashtu kanë biseduar edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër si dhe rëndësinë e zbatimit të shpejtë, të plotë dhe të pakushtëzuar.

“Gjithashtu e njoftoi për propozimin e Qeverisë e Kosovës, të inspiruar nga modeli kroat, në kuadër zbatimit të nenit 7 të Marrëveshje Bazike, dhe për nevojën për angazhim më të madh në sekuencimin e duhur të zbatimit të plotë të Marrëveshjes, dhe për gatishmërinë e tij për takime të radhës drejt këtij qëllimi”.

/Shqip.com