Lajme

Kurti uron SHBA-të për 246 vjetorin e pavarësisë, e përmend Serbinë dhe luftën në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar 4 korrikun, datën ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës e festojnë përvjetorin e pavarësisë.

Në përvjetorin e 246-të të shtetësisë së ShBA-ve, duke shkruar për historinë e luftës civile amerikane, e ka krahasuar me luftën e ditëve të sotme në Ukrainë.

Po ashtu, Kurti ka thënë se po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, nuk do të përbënte kërcënim serioz për paqen në rajonin tonë.

Kreu i qeverisë shtoi se është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim.

Flamuri i SHBA-së

“Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?”, ka shkruar kryeministri.

Tutje, ai tha se këtë 4 korrik, ‘le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë’, ka shkruar Kurti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë.

4 Korriku shënon 246 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, në vitin 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve është njëri ndër dokumentet, ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 246 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.

Por prej nënshkrimit të këtij akti dramatik para më shumë se dy shekujsh, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapë se prapë ekziston vetëdija se mbetet shumë për t’u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Perëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit.

Dhe për çdo vit, pavarësia e SHBA-ve festohet edhe në Kosovë. Për nder të kësaj ditë të premten Ambasada Amerikane në Kosovë, ka organizuar një ndejë në të cilën kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme të Kosovës./Shqip.com