Lajme

VIDEO/ Momenti kur autori i maskuar i vendos tritol banesës së gjyqtarit dhe momenti i shpërthimit

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi në mbledhjen e sotme (29 prill 2024) të sigurojë mbrojtje fizike për gjyqtarin e Shkodrës, Tonin Sterkaj, i cili u kërcënua duke i vendosur tritol portës e shtëpisë në lagjen “Tom Kola’ në Shkodër në orët e para të mëngjesit të 28 prillit. Garda e Republikës do mbrojë Sterkajn dhe familjen e tij për një periudhë 6 mujore. Ministri i Brendshëm Taulant Balla e quajti akt burracakësh me qëllim intimidimin e magjistratit dhe e vlerësoi test për policinë e Shkodres zbulimin e autorit dhe porositësit.

“Dënoj këtë akt prej burracakësh në përpjekje për të intimiduar një magjistrat. Sa i përket pjesës tjetër dhe nuk dua të flas më shumë për këtë, sepse ju thashë kjo ngjarje është një test për DVP Shkodër, në të gjitha kuptimet, por që lidhet drejtë për së drejti me kredibilitetin dhe me besimin në rritje të Policisë së Shtetit”, tha ministri Balla pasi doli nga mbledhja e KLGJ-së.

Për Ballën, ky sulm i paprecedent tregon se reforma në drejtësi po jep rezultate.

Duhet të kuptojmë që reforma në drejtësi po jep rezultate e veta dhe duhet të kuptojmë që gjyqtarë dhe prokuror në detyrën e tyre kanë prishur qetësinë e personave të cilët janë objekt i hetimeve apo i vendimeve dhe kur bëra thirrje për të hequr dorë nga intimidimet ndaj magjistratëve këtë thirrje e kisha ndaj gjithkujt. Intimidimet mund të bëhen me lëndë eksplozive, por mund të bëhen edhe me fjalë edhe me deklarata“, nënvizoi ai.

Video e shpërthimit
Shqip.com
ka siguruar pamjet që kamerat e sigurisë filmuan në orët e para të 28 prillit 2024. Në video evidentohet e gjithë dinamika e lëvizjes së autorit, ndërsa qeni i një shtëpie pranë leh vazhdimisht.

Ishte ora 02:55. I veshur me të zeza, kapuç në kokë dhe doreza të bardhja mjekësore, autori afrohet qetësisht dhe vendos lëndën plasëse në portën e shtëpisë së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Pasi nxjerr tritolin nga xhupi e vendos në cep të derës. Më pas e ndez dhe largohet me shpejtësi nga e njëjta rrugicë që u pa të vinte. Në orën 02:59 minuta, pra 4 minuta më pas ndodh shpërthimi.

Policia e Shkodrës, ende nuk e ka identifikuar autorin por thekson se po heton në pistën e intimidimit të gjyqtarit Tonin Sterkaj për shkak të detyrës. Tre persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen u shoqëruan të dielën, 28 prill, nga policia dhe pasi u morën në pyetje u lanë të lirë. Vetë gjyqtari gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se më herët nuk ka marrë kërcënime. Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Dëshmia e gjyqtarit Sterkaj nuk ka ndihmuar hetuesit.

Kush është Tonin Sterkaj?
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa për një periudhë dy vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Pas mbylljes së Apelit, Sterkaj u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Unioni i Gjyqtarëve duke theksuar se gjyqtarët në mbarë vendin punojnë me ngarkesë të lartë ccështjesh dhe ne presion politik e mediatik.

/Shqip.com