Lajme

Kurti: T’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nevojitet angazhim maksimal i institucioneve për të respektuar të drejtën dhe për të gëzuar jetën. Kështu u shpreh ai pas rastit të vrasjes barbare të 18-vjeçares në Ferizaj, njofton Shqip.com.

Kurti me anë të një postimi në Facebook, bëri thirje për ndalimin e dhunës ndaj grave dhe për edukim të djemve se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi.

Lexo edhe:
Kryetari i Ferizajt: As më pak e as më shumë sesa dënim meritor për vrasësit e 18-vjeçares

Ai më tej kërkoi nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të M.O.-së sa më shpejtë para drejtësisë.

“U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni! Ne nuk mund të jemi spektatorë ndaj të ardhmes sonë. Kemi obligim moral, kushtetues, institucional që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e secilës viktimë të dhunës në familje”, shkroi më tej Kurti.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka mbajtur sot konferencë lidhur me vrasjen e 18-vjeçares në këtë komunë, ku ka kërkuar dënim meritor për dorasit e këtij akti.

Njëri nga dy të dyshuarit e kësaj vrasje gjendet ende në arrati, ndërsa për bashkëkryesin e tij – i ndaluar nga policia – është kërkuar paraburgim nga Prokuroria. /Shqip.com