Kulturë

Kurti takohet me antropologen amerikane, flasin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim antropologen, Janet Reineck.

Kurti është kthyer në Kosovë pas 10 ditësh. Gjatë kësaj kohe ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar përfshirë Irlandën e Veriut si dhe në Republikën e Irlandës. Nga atje ka shkuar Itali në një ngjarje që tuboi partitë socialiste, që janë në të njëjtën linjë  ideologjike të e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti nuk mori pjesë fizikisht në samitin BE-Ballkani Perëndimor që është mbajtur në Tiranë gjatë kësaj jave. Ai adresoi mesazhin e tij përmes një lidhjeje elektronike.

Zyra e kryeministrit ka treguar më shumë për takimin e Kurtit me antropologen amerikane.

“Znj. Reineck, një antropologe e njohur dhe mike e madhe e Kosovës, është një figurë e rëndësishme në hulumtimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të trojeve tona”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Në takim u bisedua për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, sfidat dhe potencialin e turizmit rural në Kosovë.

Gjithashtu, diskutuan për rëndësinë e unitetit të popullit në shtetndërtim, dhe rolin e të rinjve në këtë drejtim.

“Kryeministri Kurti, duke falënderuar znj. Reineck për punën dhe kontributin e saj për Kosovën, u shpreh i gatshëm për mundësi të bashkëpunimit më të afërt në të ardhmen. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, synohet të përforcohet promovimi i trashëgimisë kulturore dhe të avancohet turizmi rural në Kosovë”, mbaron komunikata.

/Shqip.com