Lajme

Kurti-Stoltenbergut: Rusia po e ndihmon Serbinë në destabilizimin e Ballkanit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti është shprehur se fushatat dezinformuese po ndihmohen nga Rusia në përpjekje për ta destabilizuar Ballkanin.

“Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”, thuhet në njoftim.

“Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë”, vijon komunikata.

Largimi i barrikadave në Rudarë

Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë Stoltenbergut se qytetarët e Kosovës janë të informuar mirë për masat që i ka vendosur Qeveria për targat në veri dhe reciprocitetin me dokumentet e identifikimit me qytetarët serbë.

Kurti përsëriti se këto masa janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Lexo edhe:
Stoltenberg flet me Kurtin për tensionet në veri: Të gjithë duhet ta ruajnë qetësinë

Sipas komunikatës, Stoltenbergu e siguroi Kurtin për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon./Shqip.com