Lajme

Kurti përsëri me thirrje për banorët serbë: Konvertoni targat në  “RKS”, trashëgimia e Millosheviqit synon t’ju mbajë të izoluar

Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, u ka bërë thirrje nga banorët serbë që të konvertojnë targat nga “KM” në “RKS”.

Ai në gjuhën serbë ka treguar se ata kanë kohë 63 ditë që të bëjnë konvertimin.

“Nga sot deri më 31 tetor, përgjatë 61 ditëve në 34 qendra të Regjistrimit të Automjeteve po rihapim dritaren e mundësisë për të konvertuar tabelat e regjistrimit të veturave ne ato të Republikës sonë të përbashkët”, ka thënë Kurti në një video të shpërndarë.

“Konvertimi dhe regjistrimi i automjeteve me targa “RKS” i shërben rendit publik, ligjit dhe sigurisë”, u shpreh ai.

I pari i Qeverisë tha se targat e lëshuara nga Serbia me shkurtesat e qyteteve kosovare janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit.

Lexo edhe:
Sveçla konfirmon se dokumentet për hyrje-dalje nuk po lëshohen më në pikat kufitare

Ai ka thënë se një gjë e tillë është duke i mbajtur në të kaluarën dhe të izoluar.

“Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, deklaroi kryeministri.

Ai ritheksoi se qytetarët që i ndërrojnë targat, lirohen nga taksa e detyrime tjera që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim./Shqip.com