Lajme

Sveçla konfirmon se dokumentet për hyrje-dalje nuk po lëshohen më në pikat kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dokumentet për hyrje-dalje nuk po lëshohen më në pikat kufitare.

Ai ka thënë se në Bërnjak një veturë ka kaluar pa asnjë problem.

“Jemi në Bërnjak, kishim një veturë të kolegëve tuaj që kaloi pa problem, është ndërpre lëshimi i hyrje-daljeve edhe në Merdarë, Dheu i Bardhë e Muçibabë. Në Jarinjë ende s’kemi veturë që ka kaluar, por mund të konkludojmë që e kanë ndërprerë lëshimin e hyrje-daljeve”, ka thënë Sveçla.

Ai tha se tani nuk është e nevojshme që të lëshohet dokumenti i hyrje-daljeve për ata që hyjnë në Kosovë.

Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme sikurse ajo e dokumenteve.

Lexo edhe:
Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e kishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht.

Për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës.

Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim./Shqip.com