Lajme

Kurti përkujton heroin Ilir Konushevci: Ishte koka dhe zemra e logjistikës së luftës për çlirimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin Ilir Konushevci në 24-vjetorin e rënies së tij.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pas rënies së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit.

“Për një ushtri luftëtarësh të lirisë si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e themeluar dhe e ngritur krejtësisht nga fillimi prej vullnetarësh, një nga sfidat më të vështira qe furnizimi me armë dhe municion. Historia e logjistikës së UÇK-së, ka për kryepersonazh një nga luftëtarët me kontributin më të madh dhe më të çmuar për çlirimin e Kosovës, Ilir Konushevcin – Mërgimin. Sot është përvjetori i 24-të i vrasjes së Ilir Konushevcit, më 9 maj 1998”, ka shkruar Kurti.

Ilir Konushevci

Ai gjithashtu ka shkruar se Konushevci i takon grupeve të para të armatosura që zgjodhën rrugën e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore.

“Më 13 maj 1992, Iliri së bashku me shokë themeluan grupin ilegal “Shqiponjat” që një vit më pas, bashkëpunoi edhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Nga qershori i vitit 1996, Iliri u bë i afërm me grupin e Zahir Pajazitit e Hakif Zejnullahut, të cilët bashkë me Edmond Hoxhën ranë më 31 janar 1997, si dhe ishte i pandarë me Adrian Krasniqin deri në rënien e tij më 16 tetor 1997”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se Ilir Konushevci u kthye në drejtuesin e grupit kryesor të logjistikës së UÇK-së.

“Me dhjetëra herë, me shokë e kaloi kufirin që ndante Shqipërinë dhe Kosovën, duke furnizuar me armë dhe municione pothuajse të gjitha njësitet e UÇK-së. Grupi logjistik i Mërgimit, ishte kanali me prurjet më të mëdha furnizuese të UÇK-së, i cili ka lënë pas një dokumentacion historik shumë të vëllimshëm dhe të pasur me shënime dhe të dhëna për logjistikën e UÇK-së”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Kurti gjithashtu ka thënë “Në kujtim të gjithë veprimtarisë dhe jetës së atij që ishte koka dhe zemra e logjistikës së luftës për çlirimin e Kosovës, sot nderojmë Ilir Konushevcin, Mërgimin e UÇK-së”./Shqip.com