Kurti për mosftesën në Samitin për Demokraci: Nuk është fundi i botës

Kryeministri Albin Kurti deklaroi të mërkurën mbrëma se “nuk është fundi i botës” që Kosova nuk është ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova ka mbetur jashtë listës me 100 shtete të cilat janë ftuar nga Shtëpia e Bardhë. Bashkë me të, jashtë kanë mbetur edhe Serbia dhe Bosnja.
Ka pasur reagime të shumta që Kosova është krahasuar me Serbinë dhe Bosnjën, por si duket kjo mosftesë nuk ka shumë rëndësi për Kurtin.
Ka mohuar se kjo është shenjë që Kosova nuk i ka marrëdhëniet e mira me SHBA-në.
“Partneriteti me SHBA-në është i palëkundshëm. Është diçka përtej brezit tonë, ka nisur më herët dhe do të vazhdojë pas nesh. Nëse na ftojnë në samit, do të marrim pjesë sepse është mirë, por edhe nëse nuk na ftojnë, nuk është fundi i botës se lidhja jonë është shumë e fuqishme”, është shprehur shefi i qeverisë në ATV.

I pyetur se a mund të dëmtojë raportet Kosovë-SHBA deklaratat e tij se marrëveshja e Uashingtonit nuk duhet respektohet në plotëni, ka thënë se:
“Unë nuk them që gjithçka që është nënshkruar në Uashington është e paparanueshme, por ka aq shumë gjëra saqë është vështirë ta paramendosh në formën e një marrëveshje që duhet zbatuar në plotëni”.
Kurti ka folur edhe për vizitën e ish-emisarit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në Kosovë, duke pohuar se nuk e ka në agjendë ta takohet me të./SHQIP.com