Lajme

Kurti: Për këta gjashtë muaj kemi stabilitet institucional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për gjashtë muaj Kosova ka stabilitet institucional.

Po ashtu, theksoi se “besimi i qytetarëve te Qeveria është shtuar”, raporton Shqip.com.

Këto konstatime, kreu i ekzekutivit kosovar i bëri gjatë një konference të përbashkët me Komisionerin i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi.

”Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri në institucione nga ana e qytetarëve, që do ta kishin zili jo vetëm vendet e rajonit por edhe jo vetëm pak vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi Kurti.

Lexo edhe:
​Kuvendi miraton raportin e Avokatit të Popullit

”Kemi miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, dhe ligjin për strategjinë antikorrupsion si dhe kemi projektuar draft-dokumentin”.

Tutje, kreu i ekzekutivit ka folur edhe për “luftën kundër korrupsionit”.

”Në fushën e luftimit të krimit të organizuar kundër korrupsionit për gjashtë muaj janë realizuar 519 bastisje dhe 283 operacione policore. Nga 23 marsi kur kemi marrë detyrën zyrtarisht, deri tash kemi shkatërruar 29 grupe kriminale”.

”Pra, rezultate konkrete në këtë gjashtëmujor, që është krejt tjetër nga ai gjashtëmujori paraprak”.

Çka tha Oliver Varhelyi?

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, ka deklaruar edhe njëherë se “Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”.

Ai tha se qëndrojnë pas vlerësimit të bërë në korrik të vitit 2018, ku Kosova mori nota pozitive në këtë proces.

Këto komente, Varhelyi i bëri gjatë prezantimit të raport-progresit vjetor.

“Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në shkurt 2021 rezultuan në formimin e një qeverie të re që gëzon një shumicë të qartë parlamentare”.

“Ekziston një mundësi për të bërë përparim në çështje të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të rritur zhvillimin ekonomik”.

“Komisioni qëndron në vlerësimin e tij të korrikut 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e liberalizimit të vizave”.

Mes tjerash Varhelyi tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog për të ardhmen e tyre evropiane dhe për stabilitetin e rajonit.

“Dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës mbetet qendror për të ardhmen e tyre evropiane dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit”.

“Të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt objektivit të përfundimit të një marrëveshjeje të normalizimit gjithëpërfshirës të detyrueshëm ligjërisht”.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin duhet të shmangen” pohoi Varhelyi. /Shqip.com