Kurti për dokumentët hyrëse/dalëse: Nëse qytetari i jonë e merr një dokument të tillë, duhet ta merr edhe një qytetar serb

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka qenë asnjëherë për të vendosur dokumente të përkohshme për qytetarët serbë që hynë në territorin Kosovar.
Në një konferencë për media, Kurti tha se kjo është për shkak të reciprocitetit
“Ne nuk do të kishim preferuar dokumentet e tilla. Mirëpo, nëse qytetari i jonë e merr një dokument të tillë, duhet ta merr edhe një qytetar serb. Siç nuk kemi qenë për targat e përkohshme, mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur hynë në Serbi, ka nevojë që të ketë edhe për qytetarin serb që hynë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Nga 1 gushti qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu nga 1 gushti fillon regjistrimi i veturave që posedojnë targa ilegale që të kthehen në targa RKS.
Kurti në këtë konferencë ka folur për vizitën e tij të realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Osmani tha se në këtë vizitë, ajo e ka rikonfirmuar nga administrata amerikane se fokusi kryesor në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.

Kurse, Kuti, takimin me sekretarin amerikan Antony Blinken e cilësoi si të veçantë.
Të dy krerët e shtetit kanë thënë se nga kjo vizitë është thelluar edhe më tejë partneriteti në mes Kosovës dhe ShBA-ve./Shqip.com