Lajme

Kurti për diskutimin në Ambasadën e SHBA-së: Ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre

Gjatë ditës së sotme Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të organizojë një diskutim me përfaqësues të partive politike, OJQ, Kuvendi i Kosovës, Presidenca e shumë akterë tjerë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Për këtë takim është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në këto minuta ka filluar takim. Atje janë shefi i stafit tim dhe shefi i stafit të presidentes besoj që të pranishmit në takim do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Kurti.

Një ditë më parë, Ambasada bëri të ditur se ka marrë konfirmim nga Zyra e Kryeministrit dhe e Presidentit se do të dërgojnë përfaqësues në takim.

Shefi i Stafit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Luan Dalipi do të përfaqësojë Qeverinë në takimin e thirrur nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Këtë për Shqip.com e ka konfirmuar Përparim Kryeziu- zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

“Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër në takimin e ftuar”, ka thënë Kryeziu.

Ilir Kërqeli- Këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Gluk Konjufca në një përgjigje për Shqip.com ka thënë se si Kuvend nesër pritet që të dërgojnë një përqafues në takim.

“Po normalisht në koordinimin me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca”, ka thënë për Shqip.com, Kërçeli.

Pjesëmarrjen për takimin e kanë konfirmuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Po ashtu pjesëmarrjen në takimin e sotëm e kanë konfirmuar për Shqip.com edhe nga zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

/Shqip.com