Lajme

Kurti për dialogun: Njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se Kosova është treguar e përkushtuar sa i përket dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti ka deklaruar gjatë mbledhjes së 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, se statusi aktual i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është normal.

Lexo edhe:
Kurti: Gjatë dy viteve s’e kemi asnjë skandal të korrupsionit

Në raport me Serbinë, kemi marrë pjesë në takimet e bisedimit në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi pritur emisarët specialë sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, konstruktiv, parimor e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, ka deklaruar Kurti.

Gjithashtu, në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Kurti ka përmendur Adem Demaçin e Astrit Deharin, ku për këtë të fundit kërkoi drejtësi.

Kurti tha se ish-aktivisti i VV-së, Astrit Dehari, është viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur, ndërsa Demaçin e cilësoi si vigan të rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe.

Të dy janë busulla të Lëvizjes sonë dhe për sa kohë që të jetoj kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin, kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund për shokun tonë, Astrit Deharin”, është shprehur Kurti.

/Shqip.com