Lajme

Kurti: Unë nuk merrem me suspendime policësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka informata nëse do të suspendohen disa eprorë të Policisë së Kosovë për pjesëmarrje në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndër tjerash, shefi i qeverisë tha se nuk e përjashton si mundësi.

“Në 3-4 orët e fundit nuk është që i kam pa të gjitha mesazhet edhe pse shumica dërrmuese janë urime për ditëlindjen dhe nuk e kam ndjekur, por nuk kam informacion që do të ketë një veprim të tillë nesër, unë nuk e përjashtoj por nuk kam informacion dhe nuk merrem unë me suspendime policësh”, tha Kurti në një intërvistë për KTV-në.

Vuçiq më 22 mars, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, mbajti një takim ku të ftuar ishin edhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës eprorë të Policisë së Kosovës.

Për këtë çështje, Policia e Kosovës ka thënë për Shqip.com se rasti është dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se, është përcjellë shkresa njoftuese për këtë çështje tek Inspektorati Policor i Kosovës, për procedurë të mëtutjeshme të veprimit”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Lexo edhe:
Drejtorët e policisë në takim me Vuçiqin – të martën mblidhet Komisoni për Siguri

Përveç zyrtarëve të këtij institucioni, të pranishëm ishin edhe disa gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Ndër ta ishte edhe kryetarja e kësaj gjykate, Liljana Stevanoviq.

Ndaj saj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 24 mars ka marrë vendim për ta suspenduar nga puna.

“Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.

Mbledhja e thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Këtë vendim, e ka përshëndetur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se gjyqtarët e kanë për obligim të veprojnë vetëm në përputhje ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Reagime nga Serbia

Suspendimi i Stevanoviq-it, ka ngjallur reagime të krerëve shtetërorë të Serbisë.

Vuçiq, përmes një video të publikuar në “Instagram”, tha se “Kurti ka sulmuar Serbinë”.

Reagim pati dhe nga ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.

Ai tha se “Kurti nuk i do serbët e Kosovës dhe se ai (Kurti) dëshiron luftë”./Shqip.com