Lajme

Kurti njofton se edhe dy zyrtarë të lartë policorë u shkarkuan për rastin e 11-vjeçares

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas arrestimit të pesë personave të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.

Ai më këtë rast ka lidhur edhe dorëheqjet që janë bërë në Policinë e Kosovës dhe në Shërbimin Korrektues, ku ka thënë se këto nuk janë të mjaftueshme.

Ai ka njoftuar se për këtë rast janë shkarkuar edhe dy zyrtarë të lartë në polici.

“Nuk mjaftojnë dy dorëheqje. Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare. Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje”, ka thënë ai.

Një vajzë e mitur është dhunuar seksualisht nga pesë persona në parkun e lagjes “Arbëria” Prishtinë.

Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në park të kryeqytetit dhe më pas janë bashkangjitur edhe të tjerët.

Policia e Kosovës njofton se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.

Aktualisht, janë arrestuar të gjithë personat të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në veprën penale “Dhunim” ndaj të mitures./Shqip.com