Kurti në homazhet e heronjve Zhitia e Fazliu: Historia jonë përbëhet prej dëshmorëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në homazhet që i bëri të martën te varrezat e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, tha se “historia jonë përbëhet prej dëshmorëve, ndërkaq ardhërmia varet prej besnikërisë ndaj dëshmorëve”, përcjell Shqip.com.
Në 32-vjetorin e vdekjes së tyre, Kurti ka kujtuar kohën kur Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu si veprimtarë ilegalë organizonin dhe merrnin pjesë në demonstratat e asaj kohe.

“Në vjeshtën e vitit 1989, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kanë qenë veprimtarë ilegalë të cilët i organizonin dhe merrnin pjesë në demonstratat e asaj kohe që ishin edhe të fuqishme edhe të shpeshta. Më datën 1 nëntor, një ditë para se të vriteshin, Afrim Zhitia mban fjalim në demonstratë, ndërkaq më 2 nëntor, në lagjen ” Bregu i Diellit”, në ballafaqim me forcat e Serbisë bien heronj Afim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Është tejet interesante për historinë tonë, se si në vitet e ’80-ta pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Lëvizja e përjeton një hov të madh me organizimin brenda Kosovës, në radhë të parë duke iu falënderuar Afrimit dhe Fahriut, me ç’rast Afrimi ishte sekretar organizativ i Lëvizjes”, tha Kurti para mediave./SHQIP.com