Lajme

Kurti mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e policisë së misionit të BE-së për sundim të ligjit

Sot gjatë ditës është bërë shpërndarja e medaljeve për pjesëtarët e policisë së misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij Kurti ka thënë se sot nuk po nderojmë vetëm policët e guximshëm, por ritheksojmë edhe rëndësinë e sundimit të ligjit, të luftimit të krimit, tema këto të rëndësisë jetike për shtetin demokratik, e prioritete kryesore të qeverisjes sonë.

“Po jetojë një kontekst krejtësisht të ri, një luftë e tmerrshme po zhvillohet në kontinentin tonë në Evropë. Mbrojtja dhe siguria, gjeopolitika dhe gjeoekonomia dhe gjeostrategjia, kanë përjetuar një tërmet me pasoja të pakthyeshme. Në momentin kur kërcënohet liria dhe të drejtat fundamentale, siç shohim çdo ditë nga raportimet mbi invazionin dhe agresionin e Federatës Ruse në Ukrainë, është koha të përkujtojmë vlerat, që bëjnë shtetet demokratike e që janë garanci e paqes dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, është shprehur Kurti.

Po ashtu Kurti ka thënë se si Qeveri si synim kryesor e kanë sundimin e ligjit

 “Për këtë, kemi treguar përkushtim dhe rezultate konkrete me shkatërrimin e 65 grupeve kriminale, që nga fillimi i mandatit dhe konfiskimin e mbi 450 kg të substancave narkotike vetëm këtë vit. Policia e Kosovës është treguar profesionale, e shpejtë dhe e vendosur në luftimin e kriminalitetit, duke rritur kështu edhe më shumë besimin e qytetarëve në këtë institucion, por edhe duke forcuar shtetin”, tha më tej kryeministrit Kurti.

 Ai gjithashtu i falënderoi pjesëtarët që u dekoruan sot, për qëndrimin e tyre të pa kompromis ndaj krimit dhe guximin në kryerjen e detyrës, duke thënë se mbështetja për Policinë e Kosovës duhet të vazhdojë duke u rritur./Shqip.com