Lajme

Kurti: Marrëveshja për energjinë rezultat i punës sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Sot në Bruksel, është arritur marrëveshja për energjinë elektrike midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtë marrëveshje e ka mirëpritur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti, e ka quajtur lajm të mirë arritjen e marrëveshjes për faturimin e energjisë në veri të arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ky është rezultat i punës së Qeverisë që ai e udhëheqë.

“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Iber”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se së shpejti do të fillojë edhe faturimi i rrymës për komunat në veri.

“Por është mirë që do fillojë inkasimi i energjisë në veri sepse i është shkaktuar dëm i madh Kosovës”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri.

Marrëveshja për energjinë ishte arritur qysh më 2013, por nuk ishte zbatuar deri më tash. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë./Shqip.com