Ekonomi

Kurti: Linja 10-të hekurudhore, i paraprinë zhvillimit ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në inaugurimin e punimeve për rehabilitimin e linjës 10-të nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se kjo i paraprinë zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Rehabilitimi i hekurudhës nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë edhe i paraprinë zhvillimit ekonomik, por i shërben edhe ndërlidhjes më të mirë të Kosovës me rajonin dhe Evropën. Linja e 10 hekurudhor i përket rrjetit kryesor hekurudhor të zgjerimit të korridoreve të rrjetit trans-evropian të transportit. Qytetarët e Kosovës e shfrytëzojnë relativisht pak trenin si mjet transporti e kjo për faktin se rrjeti hekurudhor nuk e mbulon gjithë shtetin edhe për shkak të rrjetit jo të mirë e të vjetruar”, tha Kurti.

Kurti tha se për shkak të kushteve të rrjetit hekurudhor, qytetarët e përdorin shumë pak trenin si mjet transporti.

“Që rrjeti hekurudhor që të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe lëvizjes së lirë të vendit, jemi duke e bërë rehabilitimin e linjës 10 përmes ndihmës së konsiderueshme të Bashkimit Evropian që përshkon dhe lidh shtatë shtete duke përshirë edhe Kosovën”.

Krahas kësaj, Kurti tha se ky projekt do të ndikojë në hapjen e shumë vendeve të reja të punës.

“Ky projekt buron nga agjenda e Berlinit përkatësisht nga takimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor i udhëhequr atë kohë nga ish-kencelarja gjermane, Angela Merkel që sot dita ditës po jetësohet dhe udhëhiqet nga kancelari i ri Olaf Scholz. Ky projekt do t’i kontribuoj zhvillimit ekonomik e social, hapjes së vendeve të reja të punës, avancimit të bashkëpunimit ndër-fqinjësor dhe afrimit me të tepërt me vendet e Bashkimit Evropian. Jemi duke punuar që në të ardhmen të modernizohen edhe linjat e tjera hekurudhore në mënyrë që të shtohet potenciali transportues dhe tregtar”.

I pari i ekzekutivit tregoi edhe për benifitet që do të ketë vendi nga kjo linjë.

“Në këtë linjë do të zhvillohet qarkullimi i trenave me një shpejtësi prej 80 km h deri 120 km h, e po kaq e rëndësishme kjo linjë do të operojë emetime të zvogëluara të gazrave serrë dhe Dioksidit të Karbonit. Përndryshe, transportin hekurudhor njihet mirë si transport i gjelbër, realizimi i tërësishëm i rehabilitimit gjeneral dhe modernizimit të linjës së dhjetë  hekurudhore pritet të përfundojë në vitin 2024-2025”.

Tutje, Kurti tha se Kosova do të ketë një linjë hekurudhore e cila i plotëson të gjitha kërkesat e interoperabilitetit të përcaktuara sipas direktivave të Bashkimit Evropian

/Shqip.com