Lajme

Kurti kujton Demaçin: Pata fatin t’i bashkohem për 6 muaj në Zyrën Politike të UÇK-së

Albin Kurti dhe Adem Demaçi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot, në katër vjetorin e vdekjes, veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Demaçi është sinonim i qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët.

“Ai ishte veprimtari më unik dhe më autentik. Idealisti që qëndroi 28 vjet në burgjet gjithandej ish-Jugosllavisë”.

Kurti ka kujtuar edhe kohën kur i është bashkangjitur Demaçit si sekretar në Zyrën Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kohë të cilën e konsideron si “fat”.

“Më 1997, Baca Adem Demaçi mbështeti protestat e organizuara nga ne studentët e Universitetit të Prishtinës. Pas shpërthimit të luftës, më 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi Adem Demaçin përfaqësues politik të UÇK-së. Këtu pata fatin t’i bashkohem në zyrën e tij në Prishtinë, në lagjen Tophane, si sekretar i tij, për mbi gjashtë muaj”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti thotë se ata që për shkak të rrethanave nuk kanë mundur ta njohin në të gjallë Adem Demaçin bashkë me veprën e tij, rruga më e mirë për ta bërë është duke lexuar romanin e tij autobiografik “Dashuria kuantike e filanit”.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi

“Në të, siç ka thënë vetë Baca Adem: “Rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se si pushtuesit serbë më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet.” Kurse ata që ndjehen të frymëzuar nga jeta dhe vepra e tij, mund ta ndjekin atë përmes gjurmëve të idealeve të lëna pas, nga formimi patriotik te konsistenca politike dhe nga besimi stoik te qëndrimet humane. Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit dhe gjithë trashëgimisë së tij politike, kulturore dhe historike”, ka shkruar Kurti.

Theksojmë se sot është shënuar katër vjetori i vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili iku në moshën 82 vjeçare.

I njohur si Mandela i Kosovës, Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.

Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambuje për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007)./Shqip.com