Lajme

Kurti kritikon qeveritë e kaluara: Largimi i bllok-tarifave ishte gabim i madh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se largimi i bllok-tarifave nga qeveritë e kaluara ka qenë “gabim i madh”.

Gjatë një konference për media së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kurti ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit për Energji me vite ka mbajtur “kosto fiktive për qëllime elektorale”.

“Për më tepër janë larguar masa që ndikojnë në konsum më të kujdesshëm të energjisë siç janë bllok-tarifat, pra heqja e tyre ka qenë gabim shumë i madh”, ka thënë Kurti.

Mes tjerash, kreu i ekzekutivit është shprehur se janë dy faktorë që kanë shkaktuar krizën energjetike në Kosovë.

“Njëri është i jashtëm, Kosova një sasi të kërkesës e mbulon nga importi, rrjedhimisht çmimet e larta në bursën ishin jashtëzakonisht të mëdha, faktori tjetër është edhe fakti se Kosova u është lënë në mëshirë tregtarëve të energjisë në vend se të investohet në zgjerimin e gjenerimit të energjisë politikanët i kanë dhënë prodhuesve të tjerë në shtetet e rajonit”.

Bllok-tarifat ishin pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë deri në vitin 2017, kur u larguan pas kërkesave të vazhdueshme të një pjese të shoqërisë civile, opozitës dhe konsumatorëve.

Ato parashihnin që kur një familje shpenzonte më shumë se 600 kWh energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 kWh në muaj.

Bllok-tarifat aplikohen nga shumë vende në botë, pasi nxisin kursimin e energjisë elektrike nga konsumatorët për shkak të rregullit të thjeshtë: ai që shpenzon më pak rrymë, paguan më lirë çmimin e kilovatit të shpenzuar./SHQIP.com