Lajme

Kurti: Kosova e gatshme për të arritur marrëveshje finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është e gatshme të arrijë marrëveshje finale me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kurti ka deklaruar se për ta arritur këtë marrëveshje, duhet të ketë vullnet edhe pala serbe.

“A do të ketë një marrëveshje të tillë varet shumë më shumë nga Serbia sesa nga Kosova meqenëse ne jemi të gatshëm. Marrëveshja që nuk e nënkuptojnë si qendër të përmbajtjes njohjen reciproke natyrisht që nuk janë të pranueshme për ne por edhe nuk janë të dobishme për askënd”, ka deklaruar kryeministri Kurti për Tv Klan.

Sipas tij, arritja e marrëveshjes përfundimtare do të ishte në dobi të të dy shteteve. Pasi, në këtë formë do përshpejtohej procesi i integrimit të të dy shteteve në Bashkimin Evropian.

Delegacioni i Kosovës në takim me Delegacionin e Serbisë

“Serbia dëshiron të vazhdoj rrugën europiane por këtë nuk do të mund ta bëj pa e pranuar Kosovën dhe në anën tjetër Kosova dëshiron edhe integrime europiane por edhe euroatlantike dhe për këtë na nevojitet një normalizim i plotë me Serbinë”, deklaroi shefi i qeverisë së Kosovës.

Por për kryeministrin Kurti, Serbia ka dilema sa i përket integrimit të saj në BE.

“Serbia ka dilema meqë ka marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Rusinë, blen armatim prej Rusisë dhe është pjesë e Unionit Ekonomik Euroazitaik, Gazpromi ka 50% të industrisë së naftës në Serbi dhe gjithashtu 51% të basenit më të madh të gazit në Banaskit Vor në Vojvodinë, pra ata kanë dilema ndërsa ne jemi të qartë në rrugën tonë europiane dhe europerëndimore”.

Theksojmë se takimi i fundit mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel është  mbajtur më 19 korrik./Shqip.com