Lajme

Kurti i liston sukseset e Qeverisë në drejtësi, e nis me Vetingun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një përmbledhje për të arriturat në drejtësi të qeverisë për vitin 2022.

Ai ka listuar Vetingun si të parin në listë, ndonëse sipas tij, vetëm është trasuar rruga për zhvillimin e tij.

Ndër të tjera, Kurti ka përmendur edhe miratimin e Planit të Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë”.

Postimi i plotë i Kurtit:

2022: Qeveria për drejtësi

Kemi qartësuar e trasuar rrugën për zhvillimin e Vetingut në sistemin e drejtësisë, bartës i së cilit do të jetë Kuvendi i Republikës;

Miratuam Strategjinë e Sundimit të Ligjit; Miratuam Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Planin e veprimit për vitet 2022-2026;

Lansuam Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale; Ndryshuam Kodin Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje;

Komisioni i Venecias i ka aprovuar ndryshimet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme;

Është miratuar në Kuvend Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës;

Janë miratuar në lexim të parë Projektligji për Prokurorin e Shtetit dhe ai për Prokurorinë Speciale;

Është miratuar në lexim të parë Projektligji për Themelimin e Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës;

Miratuam Planin e Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovës.

/Shqip.com