Lajme

Kurti: Enver Zymberi u vra nga struktura kriminale serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Për herë të parë në Kosovë sot shënohet dita memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.

Me këtë rast kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar rënien e policit, Enver Zymeri.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti shkruan se me 26 korrik të vitit 2011, gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ra dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Kurti tha se ai u vra nga struktura kriminale serbe.

“Në kronologjinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, disa data janë të shënjuara edhe me emra të përveçëm, sikur 26 korriku i vitit 2011, kur gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, pati rënë dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi. Ai u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë”.

Lexo edhe:
Sot shënohet dita memoriale e policëve të rënë në krye të detyrës

Ndryshe, një vit më parë Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Qeveria ka propozuar që krahas 24 Qershorit si Dita Memoriale e komunitetit egjiptian në këtë projektligj të shtohet edhe 26 Korriku si Dita e Policëve të rënë në kryerjen e detyrës.

26 korriku është data kur është vrarë polici Enver Zymeri, gjatë një aksioni në veri të vendit.

Më 27 korrik 2021 është zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës./SHQIP.com