Lajme

Kurti e Rizvanolli vizitojnë Postën e Kosovës

Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pritet që sot gjatë ditës të vizitojnë Postën e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e kryeministrit.

Vizita pritet të ndodhë në ora 15:30. Arsyet e vizitës nuk janë bërë të ditura.

Posta e Kosovës vazhdon të ketë probleme të mëdha financiare duke mos arritur të paguajë as pagat e punëtorëve përmes buxhetit të saj.

E shpëtimi i vetëm i përkohshëm për Postën është huaja prej 2 milionë euro e marrë nga BERZH-i.

U.d e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, Fakete Kadiu ka thënë se përmes kësaj huaje janë duke i ekzekutuar pagat për punonjësit.

“Kredia ka për qëllim dhe destinim t’i mbulojë pagat e punonjësve edhe shpenzimet e kontributeve pensionale, shpenzimet e shërbimeve publike por jo diçka tjetër”.

“Pastaj mjetet tona kemi planifikuar në përmirësimin e infrastrukturës të Postës së Kosovës”, tha Kadiu për SHQIP.com.

Ajo shtoi se pjesa e parë e pagës është ekzekutuar më datën 1 për tërë stafin.

Ndërkohë 302 punëtorët të Telekomit në mënyrë vullnetare kanë dhënë dorëheqje nga vendi i tyre i punës.

Të njëjti kanë qenë të punësuar në pozita si menaxher dhe deri tek punëtorët teknik.

Rreth kësaj për Shqip.com, ka folur edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj.

“Ka qenë një pako vullnetare e cila ka dal nga Telekomi, dhe punëtorët vet kanë shprehur dëshirën për të dalur nga puna. Ka qenë ofertë e hapur që do të thotë pako për pensionim të parakohshëm edhe ata të moshave më të reja. Kjo pako ka qenë e menaxhuar nga Telekomi i Kosovës dhe e sponzeruar nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Balaj.

Ai gjithashtu ka treguar se një ofertë e tillë kishte qenë edhe në vitin 2007 dhe në vitin 2015, sipas tij në këtë pako nuk kanë qenë të përfshirë punëtorët e sidikatës./Shqip.com