Lajme

Kurti e Murati i kërkojnë Japonisë të investojë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

Gjatë kësaj vizite, Kurti është takuar me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda ku kanë kërkuar që të investojnë në Kosovë.

Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.

“Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati, ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari

Ndër të tjerash, Kurti ka shkruar Kosova dhe Japonia ndajnë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane.

Udhëheqës nga mbarë bota janë mbledhur në Tokio për t’i dhënë lamtumirën kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë.

Abe, 67 vjeç, i cili mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua duke mbajtur një fjalim në fushatë.

Lexo edhe:
VIDEO/Momenti kur qëllohet me armë ish-kryeministri japonez, sulmuesi kapet menjëherë

Ai u qëllua rreth orës 11:30 të mëngjesit me orën lokale në Nara, në lindje të Osakës, teksa mbante një fjalim të fushatës zgjedhore në rrugë./SHQIP.com