Lajme

Kurti: Do të shtohen edhe 100 asistentë për fëmijët me autizëm gjatë orarit mësimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Autizmit, ka dhënë zotime për gjithëpërfshirje të personave me autizëm.

Gjatë një konferencë, Kurti tha se për fëmijët me autizëm do të shtohet numri i asistentëve shtesë gjatë orarit mësimor.

“Për prindërit është sfidë përfshirja e fëmijëve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve, do të shtohen edhe nga 100 asistentë të tjerë çdo vit deri në fund të mandatit”, ka thënë ai.

I pari i Qeverisë, tha se trajtimi që i bëhet njëri-tjetrit është vetë shëndeti i shoqërisë në përgjithësi, duke shtuar se personat me autizëm janë një shprehje më e drejtpërdrejtë e ngutisë së tij për të krijuar mekanizma veprimi.

“Një shoqëri e ndjeshme ndaj këtyre personave është një shoqëri më të vërtetë në vetvete sepse sapo të dështojmë në kuptimin e vështirësisë dhe hallit të tyre, do të kemi rënie në terrenin i cili është jo vetëm i izolimit, por edhe ngacmimit, paragjykimit e stigmatizimit”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se është detyrë që të identifikohen talentet mes fëmijëve autikë dhe të maksimalizohet potenciali i tyre, dhe se duhet më shumë qasje në shërbime për çdo person me autizëm./Shqip.com