Lajme

Kurti diskuton me shefin e OSBE-së për referendumin e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të premten shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, përcjell Shqip.com.

Gjatë këtij takimi, Kurti ka falënderuar Davenport për komunikimin e vazhdueshëm të tyre, duke përfshirë edhe situatën lidhur me referendumin e Serbisë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, temë diskutimi kanë qenë edhe të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit por edhe çështjet e sigurisë dhe qeverisja e mirë.

Lexo edhe:
Brnabiq: Në Bruksel do të flas që Kosova nuk na e lejoi referendumin

“Në takim u adresuan edhe zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare dhe mbështetja për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët si dhe gatishmëria e OSBE-së për të ndihmuar Zyrën e Kryeministrit dhe qeverinë në fushat me interes të përbashkët”, njofton ndër tjerash ZKM.

Ndryshe, të dielën në Serbi është mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor të vendit.

Fillimisht, referendumi ishte paralajmëruar që të mbahej edhe në Kosovë, në mënyrë që serbët me dy nënshtetësi të mund të votonin.

Por, edhe pse kërkesa e shteteve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë me 76 vota pro e një abstenim, e cila ndalonte mbajtjen e një referendumi të tillë.

Kështu, serbët nga Kosova u detyruan që të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.

Ndërkaq, gjatë kësaj dite, Njësitet Speciale të Kosovës ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe në rast të eskalimit të situatës, por që nuk është shënuar ndonjë incident./SHQIP.com