Lajme

Kurti dhe veteranët nuk dakordohen, mbaron takimi

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku

Ka mbaruar takimi në mes përfaqësuesve të OVL-UÇK-së dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se me kryeministrin Kurtin, nuk janë dakorduar.

“I kemi diskutuar shumë çështje, por kërkesa jonë ka qenë që të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshuar kjo Qeveri. Protestat që kemi zhvilluar do të vazhdojmë t’i zhvillojmë. Me Kurtin s’jemi dakorduar sepse kërkuam që të kthehet pika 3.1 që në atë pikë e kanë larguar beneficionin e veteranit që është me ligj”, ka thënë Klinaku.

Ai gjithashtu ka thënë se e kan njoftuar Kurtin që nuk mund ta ndryshojnë pikën 3.1.

“Të kthehet pika 3.1, do të protestojmë derisa kjo çështje të rregullohet. Nëse këta e rregullojnë më mirë këtë çështje, është punë e qeverisë që të kontribuojë më shumë. Secila qeveri e ka për obligim por edhe dëshirë që të bëjë më mirë se që ka qenë, por i kemi thënë që s’mund ta prekni pikën 3.1”, tha Klinaku.

Klinaku u shpreh se Kurti u ka premtuar që do t’ju dërgojë një propozim organizatave të dala nga lufta e UÇK-së me shkrim.

“Ai thirret në numrin e madh të veteranëve që nuk është çështje e tij por e gjykatës”, ka shtuar Klinaku.

Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së ka thënë se nuk kishte gatishmëri nga ana e kryeministrit që të reflektojë.

“Ne e presim edhe përgjigjen me shkrim e propozimet po ishim aty për ti thënë sy më sy se keni bërë shkelje ligjore. Nuk kem problem me Policinë e Kosovës, nuk kem probleme me objektet se janë tona por kemi problem me ata që nuk respektojnë ligjet, me ata që janë në këto institucione. Nuk kishte gatishmëri që të reflektojë në këtë drejtim”, ka thënë Jashari.

Ky takim mes kryeministrit Kurti dhe veteranëve, erdhi një ditë pasi që kjo kategori ka mbajtur protestë para Kuvendit të Kosovës duke kundërshtua mospërfshirja e tyre në Ligjin për Pagën Minimale.

Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së