Lajme

Kurti dhe Rama takohen me përfaqësuesit e bizneseve të të dyja vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama në takim me përfaqësuesit e bizneseve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy Qeverive, kanë biseduar me përfaqësuesit e kompanive të ndryshme të biznesit nga të dy vendet, transmeton Shqip.com.

Në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se në këtë takim u bisedua lidhur me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit.

“Kryeministri Kurti tha se bashkëbisedimi i sotëm është i domosdoshëm që vizionet dhe programet e të dy Qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete ashtu që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse. Teksa bëri një krahasim të shifrave bëri një krahasim të qarkullimit të mallrave në vitin 2010 me vitin 2020, pra me një dekadë në mes dallim, kryeministri Kurti tha se vërehet qartë tendenca e rritjes së qarkullimit të mallrave mes dy vendeve” thuhet më tej në njoftimin për media.

Tutje i pari i ekzekutivit kishte deklaruar se barrierat tregtare mjaft shpesh janë aplikuar nga autoritetet shqiptare, si ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj atyre industriale të eksportuara nga Kosova në Shqipëri.

“Ai tha se meritë të madhe kanë vetë prodhuesit dhe eksportuesit tanë sepse përkundër faktit që Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të marrëveshjes rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, rastet e bllokimit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe prania e barrierave të ndryshme jo-tarifore nuk kanë qenë të pakta”.

“Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e disa politikave që stimulojnë zhvillimin e industrive përpunuese, me theks tek ajo e ushqimit; komplementojnë nevojat energjetike të dy vendeve sepse edhe natyrën e kemi përplotësuese, nxisin bashkëpunimin në bujqësi, mbështesin inovacionin dhe shërbimet në fushën e Teknologjisë së Informacionit; etj.”

Kurti kishte shpjeguar se mbetet gatishmëria dhe vullneti institucional për ta ndihmuar tutje zhvillimin e dy ekonomive dhe ishte shprehur i sigurt se vullneti nuk mungon nga të dy qeveritë. /Shqip.com