Kurti: Bosnja e Hercegovina ka nevojë për mbështetjen e plotë të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takoi në Mynih, përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Kurti theksoi mbështetjen për unitetin e Bosnjë e Hercegovinës si element i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajon.
“Ndarja dhe copëzimi nuk duhet të fitojnë mbi unitetin, diversitetin, solidaritetin dhe demokracinë gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Kurti në “Twitter”.
I had a very good conversation with Christian Schmidt. Bosnia and Herzegovina 🇧🇦needs our full attention and the @OHR_BiH needs the EU leaders’ unreserved support.
— Albin Kurti (@albinkurti) February 19, 2022
Division and partition must not win over unity, diversity, solidarity and inclusive democracy. pic.twitter.com/GSicj5u12y
Gjatë takimi është diskutuar për domosdoshmërinë e vëmendjes së plotë të të gjithëve për Bosnjë e Hercegovinën.
Gjithashtu u fol edhe për mbështetjen e parezervë të liderëve të Bashkimit Evropian, si edhe nevojën për rritje të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po qëndrojnë në Mynih të Gjermanisë, ku po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se, Kurti do të qëndrojë atje për tri ditë gjatë të cilave do të zhvillojë takime të ndryshme bilaterale.
Po ashtu nga Zyra e Presidentes Osmani është bërë e ditur se në margjina të MSC-së, Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare.
Zyra e presidencës ka njoftuar se Osmani do të marrë pjesë po ashtu edhe në panele diskutimi për çështjet e lidhura me sigurinë, duke përfshirë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e paraqitura për kombet demokratike në mbarë botën./Shqip.com