Sport Ndërkombëtar

Kuka tregon ku gabuan garueset tona

Është vështirë të besohet që në Kosovë ka një trajner (përfshirë të gjitha sportet) që është i pakënaqur nëse të përzgjedhurit e tij kthehet me një medalje të bronztë nga Kampionati Botëror.

Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo, kthehet nga Uzbekistani me medaljen e bronztë, të cilën e fitoi Distria Krasniqi.

Trajneri, Driton Kuka është shprehur i kënaqur me këtë sukses, por ka pasur vërejtje te garueset tjera.

Nën udhëheqjen e tij, Kosova është shndërruar në superfuqi botërore të xhudos dhe pritjet gjithmonë janë shumë të mëdha.

“Nuk është se jam i pakënaqur, sepse një medalje e bronztë në Kampionatin Botëror, për mua dhe për Kosovën, është rezultat i shkëlqyeshëm, madje do të ishte mrekulli nëse nga çdo Kampionat Botëror kthehemi me medalje të bronztë”, ka thënë Kuka për Shqip.com.

“Distria garoi në kategorinë 52 kilogramë, e ndërroi kategorinë pas Olimpiadës dhe fitoi medalje në Evropian dhe në Botëror. Ishte në krye të detyrës dhe falë saj, Kosovës po i vjen fal saj medalja e radhës nga Botërori”, ka shkruar Kuka në profilin e tij në Facebook!

Sa i përket Loriana Kukës, ai beson se në garat e ardhshme do të ketë rezultate më të mira.

“Loriana në 78 kilogramë sot shënoi një fitore dhe mandej pësoi humbje.  Realisht forma e saj ka ngritje, por ende është te 70 për qind i formës si shkak i lëndimit në fillim të vitit. Besoj që shpejtë do të arrijë në nivelin e saj. Normalisht me përkushtim në stërvitje e me qëllim e dedikim më të madh drejt Olimpiadës”.

Ndërsa, ai ka pasur vërejtje te Laura Fazliu dhe Flaka Loxha.

“Laura Fazliu (63 kg.) sivjet arriti titullin e nënkampiones evropiane dhe prej asaj gare si duket vetëkënaqësia e medaljes nuk po e lejon të koncentrohet nê gara tjera! Ana e saj taktike shumë e padefinuar dhe pothuajse fare pak punon në këtë drejtim. Kjo tregon që urgjentisht duhet ndërruar qasjen! Humbi me një diskualifikim të çuditshëm, por me garuese të atij niveli nuk duhet lejuar të ndodhin aksione me rrezik!”, e ka përshkruar Kuka paraqitjen e Laurës.

Vërejtje ka pasur edhe për Flaka Loxhën, për të cilën vlerëson se duhet përmirësohet në aspektin teknik.

“Flaka Loxha (57 kg.) performoi jo mirë dhe realisht niveli i saj për një Botëror ende nuk ka arritur aty ku duhet. Anën fizike e ka të mirë por i mungojnë gjuajtjet në këtë nivel, problem që e potencojmë çdo stërvitje në sparing në klub, por ende nuk ka  përparim”.

/Shqip.com