Lajme

Kryetari i PDK-së i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë pas zhvillimeve në veri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë gjuhës konfliktuoze të Serbisë në raport me sovranitetin e Kosovës.

Lideri opozitar ka thënë se me zemër është me Policinë e Kosovës, të cilët nga 20 shtatori po qëndrojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak për ta zbatuar vendimin e Qeverisë për reciprocitetin me targat.

“Sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës”.

“Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim”, ka shkruar ndër tjerash Krasniqi në Facebook.

Helikopterë serbë patrulluan afër kufirit me Kosovën.

Helikopterët serbë duke fluturuar afër Kosovës

Përpos kësaj, Qendra e Automjeteve të Regjistrimit në Zubin Potok është sulmuar me granata.

Me elemente terroriste e cilësoi këtë akt ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ndërsa, kryeministri, Albin Kurti – kërkoi reagim nga bashkësia ndërkombëtare.

Lexo edhe:
Kurti i kundërpërgjigjet Vulinit pasi që i ky fundit e quajti “budalla”

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme në Serbi,  Aleksandër Vulin, po thotë se “ushtria serbe është e gatshme për urdhrin e Vuçiqit”.

Gjithë këto zhvillime rrjedhuan pasi Qeveria e Kosovës vendosi që të zbatohet reciprociteti i targave.

Kjo po del të jetë pjesë e marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë. /Shqip.com