Lajme

Kryetari i gastronomëve e quan gënjeshtar Muratin: Është hera e parë që një politikan më rren në sy

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, i ka reaguar Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, rreth kthimit në nivelin paraprak të tatimit mbi vlerën e shtuar për gastronomët.

Kllokoqi e ka quajtur gënjeshtar ministrin dhe është shprehur se është zhgënjyer tej mase nga Murati.

“Morre RRENC,  në tavolinë më ke premtuar mua dhe atyre që ishin me mua që TVSH-në ki me vazhdu ne 8% sa të egziston pandemia. Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni. Është hera e parë që një politikan më rren në sy, më falni për shprehjen RRENC por përnime jam ZHGËNJY”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri Murati në një konfereënë për media, kishte paralajmëruar se nga janari i vitit të ardhshëm, TVSH-ja do të kthehet në 18%.

“Prej datës 1 janar të vitit 2022, do të kthehet niveli paraprak, pra 18%. TVSH-ja e ulur nga 18% në 8 për qind ka qenë e paraparë që nga fillimi pra që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon”, ka deklaruar Murati.

Theksojmë se për shkak të pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllim që të ndihmoheshin bizneset dhe qytetarët që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga Coronavirusi.

Nëpërmjet këtij ligji, norma e TVSh-së ishte reduktuar nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi ndërsa ishte larguar për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë si dhe transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi./Shqip.com