Lajme

Kryeministri i Malit të Zi akuzon Kurtin se po provokon me çështjen e demarkacionit

Kryeministri i Malit të Zi,  Zdravko Krivokapiq e ka cilësuar si provokim deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurt i cili ka thënë të hënën se çështja e demarkacionit do të zgjidhet me qeverinë e re malazeze me qëllim të korrigjimit të gabimit të bërë nga qeveritë e mëparshme të Kosovës ku ishin dhuruar 8 mijë e 200 hektarë tokë.

“Unë e konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri ‘antikushtetues’ Dritan Abazoviq”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte cilësuar qeverinë e Krivokapiqit si pro ruse me të cilin nuk ka arritur të bashkëpunojë. “Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje”

“Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re”. ka thënë ai. /Shqip.com