Lajme

Kriza me energji elektrike, Qeveria merr vendim për zgjatje të masave edhe për një muaj

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga zyra e kryeministrisë.

“Përmes këtij vendimi, Qeveria i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme, kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu ditë më parë është bërë e ditur se Qeveria e Kosovës është në negociata me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë për të blerë dhe këmbyer rrymë.

Kështu tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë konferencës për shtyp të martën nga Termocentrali Kosova A.

Ajo shtoi se dimri këtë vit do të jetë i vështirë dhe apeloi tek qytetarët për të kursyer energjinë elektrike./Shqip.com