Kulturë

Kriza e leximit vjen me moton: “Të gjithë jemi lexues”

I hapur të mërkurën, Panairi Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nis me sfidën për të rifituar lexuesin nën moton: “Të gjithë jemi lexues”.

Panairi i Librit në Tiranë vjen si festë, por edicioni i sivjetmë nxjerr në pah krizën e librit dhe mungesën e lexuesit, ani pse Pallati i Kongreseve vërshon nga vizitorët.

Sipas statistikave, 80 për qind e shqiptarëve, nuk kanë blerë asnjë libër sivjet dhe ky është alarm.

“Mirëpo, marrë në përgjithësi rininë si pjesë e qytetarisë sonë, pra krahasuar edhe me vendet përreth apo edhe me vendet e ndryshme në Evropë, pa ndonjë, hamendje mund të pohoj se jemi  popull që lexojmë pak, madje fare pak”, ka thënë për Shqip.com profesori universitar, Sejdi Gashi, njëherësh hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë.


Sipas tij, edhe më shqetësues fakti se tradita e shkrim-leximit te ne shqiptarët (veçmas te ne në Kosovë) është mjaft e vonshme, prandaj marrë parasysh këtë, do të duhej që leximi te ne të jetë shumë më intensiv, shumë më analitik dhe shumë më kritik, në mënyrë që sado pak t’i kompensojmë “kohët e humbura”, thënë shkurt, institucionalisht leximi duhet shpallur mision yni shoqëror-shtetëror.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe poetja e njohur Brikenë Ceraja-Beka. “Në ditët e sotme shkruhet shumë, por lexohet pak. Sot më shumë se kurrë më parë ka autorë, ka shtëpi botuese, ka libra të botuar, por nuk ka lexues sa duhet. Nëse i viziton shtetet perëndimore nuk mund të gjesh një vend ku nuk sheh njerëz duke lexuar libra, qoftë në park, qoftë në tren, qoftë në kafene, qoftë diku tjetër”, ka thënë për Shqip.com Ceraja-Beka.

Ndërsa, sipas saj, në Kosovë e sheh dikënd duke lexuar vetëm nëse e viziton bibliotekën. “Sipas një hulumtimi që është bërë këto ditë del që 80 për qind e shqiptarëve nuk kanë blerë e as nuk kanë lexuar libër gjatë vitit të fundit. Kjo është një shifër e tmerrshme dhe institucionet duhet të bëjnë diçka në këtë drejtim, të stimulojnë leximin, botuesit, të furnizohen shkollat me libra të rinj dhe të gjejnë mënyra të ndryshme për t’i nxitur të rinjtë, pse jo edhe të moshuarit, të lexojnë më shumë sepse vetëm përmes leximit, shoqëria mund të ecën përpara”, ka thënë mes tjerash ajo. 

E, për kryetarin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, është debat i gjerë, ky në fakt.

“Dëgjoj të flitet me përshtypje por jo me fakte, jo me analiza, jo me krahasime. Krizë nëse krahasohemi me vendet e tjera apo krizë nëse krahasohemi me të kaluarën tonë? Sepse, në fakt, për 15 vitet e fundit mund të flasim për trend pozitiv të leximit dhe të qarkullimit të librit shqip. Mbase potenciali ynë është më i madh se kaq dhe duam më shumë andaj themi krizë. Nuk e di. Nuk jam për ngjyrime ekstreme, e zezë apo e bardhë. Mbase jemi diku në mes. Mund të bëjmë më mirë, ka hapësirë për më mirë, rruga është pozitive”, ka thënë për Shqip.com Zeneli.

/Shqip.com