Lajme Ballkan

Krivokapiq s’ia dorëzon detyrën Abazvoqiti, i lë një mesazh në zyre

Zdravko Krivokapiq

Zdravko Krivokapiq, ish-kryeministri i Malit të Zi, nuk e ka bërë pranim-dorëzimin e detyrës për kryeministrin e ri, shqiptarin Dritan Abazoviq.

Krivokapiq përmes një postimi në Twitter ka thënë se një gjë e tillë do duhej të bëhej në kushte legjitimiteti, por shtoi se ai nuk do që t’i jap legjitimitet, për shkak të shkeljes së demokracisë.

“Dorëzimi i detyrës së kryeministrit si gjest protokollor praktikohet në kushte legjitimiteti të padiskutueshëm. Duke qenë se kemi shkelje të procedurave kushtetuese, nuk dua të simuloj rregullsinë”, është shprehur Krivokapiq, transmeton Klankosova.tv.

Krivokapiq ka njoftuar se në zyrën e kryeministrit, Abazoviqit ia ka lënë një mesazh të qartë.

“Faza kalimtare: Do të kalojë!”, ka shkruar ai.

Dritan Abazoviq është zgjedhur kryeministri i 43-të i Malit të Zi.

Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Abazoviq, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt./Shqip.com

Lexo edhe:
Dritan Abazoviq zgjidhet kryeministër i Malit të Zi