Lajme Ballkan

Krivokapiq: Jemi sulmuar padrejtësisht se jemi pro rusë

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka akuzuar Serbinë se është përzier në çështjet e brendshme politike të shtetit që drejton dhe se njëra nga arsyet për rënien e qeverisë së tij është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Krivokapiq deklaron se Qeveria e pakicës e cila pretendon të formohet nga Dritan Abazoviqi do të shërbejë për të mbuluar aferën e “bananeve” duke iu referuar kështu eksportit të drogës në vendet e tjera.

Kryeministri malazez ka deklaruar se ai nuk ka pranuar që të diktohet nga Serbia dhe nga fuqitë e tjera siç është Kina dhe Rusia dhe në këtë mënyrë ishte shndërruar në një problem për këto palë.

Shpreson se Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe do t’i kushtojnë vëmendje interferimeve politike në Ballkanin Perëndimor pas situatës në Ukrainë.

“Për ta afruar Ballkanin Perëndimor me BE-në dhe Britaninë e Madhe duhen projekte të forta të investimit. Shumica e investimeve në Mal të Zi janë ruso-aziatike me investitorë me reputacion të dyshimtë. Ne kemi nevojë për një plan të mirë investimi” është shprehur ai.

Ka thënë se Qeveria e tij në mënyrë të padrejtë ishte etiketuar si pro-ruse dhe historia e tillë e kishte marr vëmendjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Kemi pasur sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe u përpoqëm që të kthejmë shtetin në vendin e duhur.  Ishte thjesht një përpjekje për të etiketuar këtë qeveri si me atë ndikim rus, sepse një etiketë e tillë ju jep një shans për lobistët dhe njerëzit keqdashës që të përhapin një histori të tillë”, ka thënë Krikovapiq.

Ndryshe me një mocion besimi është rrëzuar Qeveria e cila është drejtuar nga Zdravko Krivokapiq.  

Problemet kishin nisur kur njëri nga ministrat e tij kishte mohuar gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe kishte pasur zëra edhe kundër aleancës ushtarake të NATO-së.  

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian kanë pasur dyshimet e tyre për Qeverinë e Malit të Zi që është drejtuar nga Zdravko Krivokapiq.

SHBA-ja kishte përshëndetur procesin e rrëzimit të Qeverisë. /Shqip.com