Lajme

Krerët e shtetit takohen me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, flasin për Vetingun

Krerët e institucionëve të Kosovës, ambasadorët e shteteve të QUINT-it, dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministrin, Albin Kurti.

Në njoftim nga Zyra e Presidencës, u bë e ditur se ky takim erdhi për të diskutuar rreth procesit të vetingut dhe rëndësinë për forcimin e sundimit të ligjit.

“Në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së rreth procesit të vetingut në Kosovë. Liderët institucionalë përcollën mesazhe mbi rëndësinë e patjetërsueshme dhe  jetike për ndërtim të një sistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vetingut, për të garantuar sistem të drejtësisë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe efikasitet, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve për drejtësi”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu u bë e ditur se ata përsëritën përkushtimin e institucioneve të Kosovës që ky proces të ndërtohet dhe zbatohet duke i respektuar standardet më të larta evropiane, të cilat garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë, dhe për të cilat Kosova ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias./Shqip.com