Lajme

Krerët e shtetit shprehin ngushëllime për vdekjen e Ramush Tahirit

Ramush Tahiri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetarit, politologut, ish-zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Ramush Tahiri.

Osmani në telegramin e ngushëllimit ka shkruar se, Tahiri “me veprimtarinë e tij të pandalshme, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të vendit”.

“Ai u nda nga ju për t`u lënë pas kujtimet për njeriun e mirë e profesionist! Ju do të jetoni me trashëgiminë e begatshme e të tij. Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Tahiri”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani drejtuar familjes së të ndjerit.

Ndërsa, Kryeministri Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin e tij personal, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Tahirit.

“Me keqardhje të madhe mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Ramush Tahirit. Në këto çaste pikëllimi, i shprehë ngushëllimet më të sinqerta mbarë familjes Tahiri, farefisit e miqve për vdekjen e familjarit dhe mikut të tyre”, ka thënë Kurti, përcjell Zyra e Kryeministrit.

“Do ta kujtojmë me respekt për punën, përkushtimin dhe kontributin e dhënë për Kosovën”.

I tronditur me lajmin për ndarjen nga jeta të politologut Tahiti është shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një postim në Facebook, Konjufca është shprehur se “rezoni politik që ai ka reflektuar sa herë diskutonte për zhvillimet kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, ishin gjithnjë frymëzuese”.

“Për më shumë se tri dekada ai dha një kontribut të vyer gjatë përpjekjes sonë të suksesshme kolektive për çlirim nga okupimi serb dhe shtetndërtimin e Republikës”.

“Duke e pas njohur personalisht dhe pjesëmarrës bashkë me të nëpër shumë emisione televizive, Ramush Tahiri do të na mungojë të gjithëve. Ngushëllime familjes Tahiri, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. U prehtë i qetë e në paqe!”, ka përfunduar Konjufca.

Ramush Tahiri ka ndërruar jetë të premten e 13 gushtit. /SHQIP.com