Lajme

Krasniqi: Varianti Delta nuk po kursen as fëmijët, po përjetojmë një valë të rëndë të pandemisë

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se variant i ri “Delta” i Coronavirusit nuk po i kursen as fëmijët, duke thënë se kanë vdekur edhe gra shtatëzëna, përcjell Shqip.com.

Krasniqi ka bërë të ditur se Kosova është duke përjetuar një valë të rëndë të pandemisë, teksa shtoi se të enjten, 78 pacientë janë në gjendje të rëndë të shtruar në spital.

“Po përjetojmë një valë të rëndë të pandemisë. Sot 78 pacientë janë në gjendje të rëndë të shtruar në spital. Mendojmë se varianti ‘Delta’ ka fituar shumë sa i përket mundësisë që përhapet. Kjo valë po përcillet edhe me prekje të grup-moshat e reja, madje duke mos kursyer edhe fëmijët e vegjël, madje kemi pasur humbje edhe jete te gratë shtatzëna”, tha Krasniqi për A2 CNN.

Ai ka theksuar se në Spitalin e Prizrenit dhe atë të Gjakovës janë trajtuar edhe qytetarë nga Shqipëria.

“Sa i përket pacientëve nga Shqipëria, ne kemi trajtuar kryesisht pacientë në spitalin e Prizrenit dhe të Gjakovës. Sot, kemi 8 pacientë që po merr trajtim në këto dy spitale, njëri prej tyre po merr trajtim në spitalin e Prizrenit dhe 7 qytetarë të tjerë në Gjakovë”.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të enjten se janë regjistruar 19 vdekje dhe 703 raste të reja me Coronavirus./Shqip.com