Lajme

Krasniqi: Sot është dashur që nxënësit të fillojnë mësimin, Kurti po sillet si pushtetar

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri, Albin Kurti dialogun me sindikatën e ka nisur mbrapshtë.

Ai Ka thënë se Kurti e ka nisur duke e ushqyer mbrapshtë, tamam si një pushtetar, larg çdo cilësie të një burrështetasi.

“Burrështetasit nga pushtetarët i ndanë mënyra se si e shohin karakterin e qeverisjes. Për të parët, pushteti është marrëdhënie e qeveritarëve me të qeverisurit. Për të dytët, është pronësi mbi të qeverisurit. Ti Kryeministër, dialogun me sindikatat e ke nisur mbrapshtë dhe je duke e ushqyer mbrapshtë, tamam si një pushtetar, larg çdo cilësie të një burrështetasi”.

Krasniqi ka thënë se sot është dashur që të këtë një marrëveshje dhe sipas tij, Kurti nuk duhet të mbajë inate.

“Sot është dashur të ketë marrëveshje, sepse dëmin e mosmarrëveshjes e kemi parë tashmë e 13 ditë. Por, marrëveshje nuk ka as sot sepse nuk mund të ketë rezultat kur nuk ka konsideratë e as vullnet për të gjetur zgjidhje. Ndërsa familjeve, prindërve, e më së shumti fëmijëve, ju duhet zgjidhja e jo bllokada.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Kryeministër, ofroje kompromisin e mos mbaj inat ndaj protagonistëve, sepse mësimdhënësit e kanë zgjedhur Rrahman Jasharin, por qytetarët të kanë zgjedhur ty. Sot, janë qytetarët dhe fëmijët tanë, ata që janë më të dëmtuarit nga varësia jote për t’u treguar i fortë përballë sindikalistëve.

E kjo nuk i takon një kryeministri. Nuk është cilësia jote si person, por premtimet tua ato që të kanë sjellë në pushtet. Nuk ka nevojë të jesh vëlla me askënd, por duhet të jesh kryeministër i përgjegjshëm për të gjithë. Prandaj, gjej rrugë dhe zhblloko situatën”.

Tutje ai ka thënë se fëmijët duhet të kthehen në shkollë me urgjencë.

“Nuk ka përgjegjësi më të madhe sot dhe as agjendë më të rëndësishme për ty si kryeministër i vendit, sesa ta rimendosh e të veprosh siç kërkon arsyeja e shëndoshë, që nesër nxënësit e mësimdhënësit të nisin rrugëtimin e vitit të ri shkollor.

Lexo edhe:
Kurti: Qeveria vuri në tavolinë tri oferta, nuk është në pyetje arsimi – do ta marrim vesh ditëve në vijim

Fëmijët vijnë të parët, të tjerat pas tyre. Për të tjerat mund të të mirëkuptojmë. Për fëmijët s’mund të ta falim këtë arrogance”.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Lexo edhe:
Përfundon takimi: S’ka marrëveshje mes Qeverisë dhe grevistëve

Ndërsa, lidhur me këtë çështje qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj. Shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët./Shqip.com