Lajme

Krasniqi: Personat me sindromën Down meritojnë kushte më të mira dhe më shumë mundësi

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se personat me sindromën Down meritojnë kushte më të mira dhe më shumë mundësi për të vepruar dhe zhvilluar një jetë më të dinjitetshme në vendin tonë.

“Në Ditën Botërore të sindromës Down, sot vizitova shoqatën “Down Syndrome Kosova”, ku pashë nga afër aktivitetet dhe punën e jashtëzakonshme që ka bërë kjo shoqatë në avokimin dhe ngritjen e vetëdijesimit për nevojat e personave me sindromën Down”, ka thënë Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook, ai ndër të tjera është shprehur se kjo shoqatë, përtej ofrimit të shërbimeve tepër të nevojshme për personat me sindromën Down, ju ka mundësuar atyre edhe angazhime konkrete drejt pavarësimit të tyre.

Kreu i PDK-së ka thënë se përkrahja për fëmijët me sindromën Down dhe familjet e tyre, nuk duhet të mungojë asnjëherë, për t’i kaluar së bashku sfidat e tyre të përditshme.

“Partia Demokratike e Kosovës, edhe nga pozicioni opozitar, do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e politikave të nevojshme për të gjithë personat me sindromën Down, për zbatimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës”, ka përfundua Krasniqi./Shqip.com