Kulturë “Në bashkëbisedim me kuratorët si fillim janë dërguar 12 pastaj mbetën rreth 8 dhe dy pastaj më kanë lënë mua në dorë sepse thanë që janë të gjitha në rregull për ekspozitën”, shtoi artisti

Krah Mona Lizës në Muzeun e Luvrit do të ekspozohet edhe vepra e artistit shqiptar 

Muzeu i Luvrit

Në vendin ku shtrihet i gjithë arti i Evropës e më gjerë, për herë të parë do të prezantohet edhe puna e një artisti shqiptar.

Muzeu i Leonardo da Vincit, Nicolas Poussinit, Guido Renit e Pietro Peruginos, do të ekspozojë edhe pikturat e Amarildo Ruçit, artistit nga Tirana.

Artisti për Shqip.com tha se i erdhi vetë ftesa nga kuratorët për të shfaqur punën në njërin prej muzeve më të mëdha në botë atë të Luvrit në Paris.

“Fillimisht më ka shkruar në Instagarm një nga kuratorët e eventit, i cili ka dërguar një mesazh të natyrës së tillë që pikturat e tua më duken tepër unike dhe interesante dhe do kishim shumë dëshirë që ju të merrni pjesë në panairin i cili do të mbahet në Luvër”.

Piktura

Ai thotë se ekspozita është e ndarë në seksione, pjesën e pikturave klasike dhe ajo ku promovohet arti Contemporary.

“Ekspozita në Luvër është e ndarë në seksione, është pjesa e pikturave klasike dhe është një sallë për promovimin e artit Contemporary e cila ndodhet poshtë piramidës së xhamit, ajo ka rreth 15 mijë vizitorë në ditë”, tha ai.

Në mesin e 35 nacionaliteteve të pranishme në panair, Ruçi do të ekspozojë pesë vepra.

Piktura

“Unë do të ekspozojë pese vepra, në murin tim të ekspozimit dhe do jetë një nga veprat do të jenë pjesë e një fashion shoë, që do të realizohet ditën e tretë të ekspozimit për modelet, do të mbahet një nga pikturat gjatë ecjes së tyre në pasarelë”, tha tutje ai.

Arti bashkëkohor, filozofia estetike, e bukura,  dhe figurat femërore janë vetëm disa elemente që përshkruajnë pikturat e Ruçit.

“Piktura ime është realizuar si surrealizëm simbolik është një lloj surrealizmi më i thjeshtuar më bashkëkohor ku vihet re loja e simbolikës, filozofi, figura femërore dhe këto vepra përfshijnë edhe një autoportret timin në një trajtë tjetër, dmth është më shumë auto-portet i mendimit sesa i figurës”, u shpreh ai.

Ai tha se përzgjedhjen e veprave për ekspozitë e ka bërë në bashkëbisedim e koordinim me kuratorët.

Piktura

“Në bashkëbisedim me kuratorët si fillim janë dërguar 12 pastaj mbetën rreth 8 dhe dy pastaj më kanë lënë mua në dorë sepse thanë që janë të gjitha në rregull për ekspozitën”, shtoi artisti.

“Mendoj se të gjitha veprat kanë një pjesë të rrugëtimit tim artistik nga një element, dmth është një përzgjedhje që mua më ka përfshirë gjithë pjesën artistike me element të ndryshëm”.

Ekspozitën në Luvër, ai po e vlerëson si kulminacion të karrierës artistike të një artisti.

“Unë kam realizuar edhe ekspozita të tjera në Evropë, në Milano në Berlin po kjo në Luvër është kulmi i karrierës artistike të një artisti dhe pas kësaj ekspozitë vijnë edhe mundësi më të mëdha bashkëpunime që mund të realizojmë me galeri atje të cilat gjatë ditëve të panairit mund të bëjmë bashkëpunime ndoshta edhe më brende të modës, më pikturat që kem paraqitur mundësitë janë shumë të mëdha”, tha ndër të tjera ai.

Artisti, që ka një teknikë të veçantë të të punuarit- të pikturojë vetëm me duar, veprat në Muzeun e Luvrit, do t’i ekspozojë për katër ditë dhe më pas për një muaj do të jenë nën menaxhimin e organizatorëve të cilët më do të vendosin nëse ato do të shiten apo jo.

Ruçi thotë se ka filluar qysh në moshën 7 vjeçare të pikturojë, e prej 15 vjetësh punon intensivisht në krijimtarinë artistike ku ka realizuar gjithsej edhe nëntë ekspozita personale.

Ai tregon se gjithashtu do të realizojë një përformancë shumë të madhe në Shqipëri në qendër të Tiranës, e cila do të përkrahet nga Ministria e Kulturës e që ka për qëllim promovimin e eventit që do të ndodh në Paris./Shqip.com