Lajme

KQZ të mërkurën shpall rezultatet përfundimtare për Kuvendet Komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpall të mërkurën rezultatin përfundimtar për Kuvendet Komunale në zgjedhet lokale që janë mbajtur më 17 tetor, përcjell Shqip.com.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka përfunduar numërimi i rreth 300 vendvotimeve në 38 komuna.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencë për media

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar procesi i rinumërimit i rreth 300 vendvotimeve të cilat u takojnë zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale. Pas përfundimit të procedurave të parapara në këtë qendër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit kuvendet komunale. Planifikojmë që shpallja e këtyre rezultateve të bëhet në mbledhjen e KQZ-së, e cila do të mbahet ditën e mërkurë më datën 3 nëntor”, ka thënë ai për KP.

Tutje, Elezi bëri të ditur se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, nuk mund të përmbyllet ky proces sepse subjektet politike dhe kandidatët e kanë mundësinë për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe në Gjykatën Supreme.

“Pas shpalljes së këtyre rezultateve, palët në këtë rast subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në rast se janë të pakënaqur me vendimin e këtij institucioni të njëjtat mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme. Si çdo herë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e këtyre institucioneve t’i zbatojë ato dhe pastaj të procedojë për certifikimin e këtyre rezultateve”, ka theksuar Elezi.

Ndërkaq, javën e kaluar, KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale të 17 tetorit./SHQIP.com