Lajme

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetar në Dragash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Dragashit, përcjell Shqip.com.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në mbledhjen e së enjtes, bëri të ditur se Behxhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë gjashtë mijë e 192 vota, apo 51.16 për qind.

Kurse, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, ka marrë pesë mijë e 912 vota, apo 48.84 për qind.

Tutje, Radoniqi ka njoftuar se palët e pakënaqura me rezultatin e zgjedhjeve, mund të bëjnë ankesë, deri në 24 orë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

“Behxhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 6 mijë e 192 vota, apo 51.16 për qind. Shaban Shaban inga Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 5 mijë e 912 vota, apo 48.84 për qind. Palët e pakënaqura brenda 24 orëve duke filluar nga ora 11:00, mund të bëjnë ankesë lidhur me rezultatin zgjedhor”, tha kryetari i KQZ-së.

Ndryshe, votimi me postë në komunën e Dragashit është ripërsëritur me vendim të Gjykatës Supreme.

Supremja kishte marrë për bazë ankesat e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, i cili kishte bërë ankesë se të gjitha fletëvotimet nga jashtë, janë nënshkruar nga një person i vetëm./SHQIP.com